Klubi i Uest Hemit mendoi një surprizë shumë të këndshme për tre tifozë fatlumë. Kapiteni Mark Nobël dhe sulmuesi skocez Robert Snodgras u hoqën si taksistë, teksa çonin drejt fushës stërvitore tifozët, që kujtonin se kishin përfituar një tur në kompleksin stërvitor.
Të dy lojtarët ishin të maskuar me paruke dhe kapuç, por çifti që po transportonte Nobël , krijoi shpejt dyshime, pasi si tifozë të thekur të Uest Hemit, ata ishin shumë të familjarizuar me zërin e lojtarit të “Çekiçëve”.
Krejt e kundërta me Snodgras. Tifozi që po transportohej nga sulmuesi skocez nuk e kuptoi për asnjë moment se po fliste me një prej yjeve të skuadrës, madje ai e komplementoi disa herë skocezin pa e ditur se e kishte përballë.
Në momentin kur Snodgras hoqi paruken dhe kapuçin, fansi u shtang dhe Snodgras mezi po rrinte në këmbë nga të qeshurat. Si përfundim, të dy lojtarët u dhanë fansave fanella me një autograf të tyrin.