Në Shqipëri jemi regjur me premtimet elektorale. Një prej tyre ka qenë edhe ai që u bë për stadiumin e ri në Kavajë, që supozohej të kishte 15 mijë vende. Ish-kryebashkiaku Elvis Roshi, gjatë fushatës elektorale, ua premtoi banorëve të qytetit një super-stadium.
E projektuar nga një studio italiane, sikurse tregohet në videon e publikuar në vitin 2015. Por deri më sot asnjë gjurmë e bërë. Madje në Kavajë as tribuna përkarshi e stadiumit aktual nuk hapet për shkak të amortizimit që kanë pësuar shkallët.
Sivjet Besa po lufton në Superiore dhe nëse e arrin këtë objektiv, të paktën në stadiumin “Besa” do të ketë ndërhyrje për ta përmirësuar gjendjen e tij. Në fakt është mëkat që një qytet si Kavaja mos të ketë një stadium model, duke ditur traditën e hershme në futboll të asaj zone.