(VIDEO)/ Kombëtarja mbërrin në Shkup, gjithçka sipas planit

Përfaqësuesja e Shqipërisë ka pak minuta që ka mbërritur në Shkup të Maqedonisë. Edhe pse ndeshja nuk do të luhet në këtë qytet, ku ndodhet dhe stadiumi më modern i shtetit fqinj, kuqezinjtë do ta kalojnë natën në një nga hotelet në periferi të qytetit. Të besuarit e Kristian Panuçit i kanë mbyllur përgatitjet për ditën e sotme dhe do të zbresin nesër në fushë sipas agjendës zyrtare të përcaktuar nga UEFA, ku stërvitja e fundit do të zhvillohet në stadiumin e Strumicës, ndërsa trajneri Kristian Panuçi së bashku me kapitenin e skuadrës do të dalë në konferencë për shtyp.

Si rrallë herë kuqezinjtë kanë udhëtuar drejt Maqedonisë më autobus, ashtu si dhe delegacioni, që këtë herë ka preferuar që të udhëtojë së bashku me lojtarët. Nën masa shumë të rrepta sigurie Shqipëria ka përshkruar disa troje shqiptare, për të arritur në Shkup. Ndeshja me Maqedoninë konsiderohet si një takim direkt për vendin e tretë, pasi vendasit me fitoren e djeshme ndaj Izraelit, janë kthyer në rivalët kryesor të Shqipërisë për vendin e tretë. Lajmi i mirë është konfirmimi i lajmit se sulmuesi Armando Sadiku është plotësisht gati dhe do të jetë që nga minuta e parë ndaj Maqedonisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *