Shqipëria U21 e ka nisur me fitore rrugëtimin në kualifikueset e Kampionatit Europian që do të zhvillohet në vitin 2025. Kuqezinjtë e Alban Bushit kanë mposhtur Armeninë U21 me shifrat 1-2. Kombëtarja e 21-vjeçarëve vendosi ndeshjen që në pjesën e parë të saj.
Takimi u zhbllokua në minutën e 28 nga Stiven Shpendi, ndërsa 10 minuta më vonë Rexhepi shkundi rrjetën për herë të dytë. Armenët gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 86 me anë të Tarakhchyan-it, por goli i tij i vlen vetëm statistikave. Shqipëria U21 largohet kështu me tre pikë nga transferta armene, duke dhënë sinjale pozitive në këto kualifikuese, ku kanë si objektiv prerjen e biletës për në Kampionatin Europian./Halit Delibashi-Sport Ekspres/