Futbollisti Arda Turan u bë pjesë e një ngjarje negative gjatë mbrëmjes të së mërkurës. Mesfushori 31-vjeçari, i cili aktivizohet me ekipin e Bashakshehirit në Turqi, pati një përplasje me këngëtarin Berkai Shahin.
Ngjarja ndodhi në një klub nate në Stamboll me futbollistin që ngacmoi gruan e këngëtarit. Një gjë e tillë solli reagimin e Berkait, i cili u sulmua nga futbollisti dhe mes palëve plasi grushti. Këngëtari u dërgua në spital për të marrë mjekimet e nevojshme, ndërsa Arda Turan shkoi në spital i armatosur, në shoqërinë e vëllait të tij.
Lojtari i kërkoi falje këngëtarit, duke insistuar që nuk e dinte se vajza ishte gruaja e tij. Më pas i nxori armën, duke ia drejtuar Berkait: “Nuk e dija se ishte gruaja jote. Më vjen keq, merre armën dhe më vrit”
Çështja vazhdon të përflitet në Turqi, ndërkohë që kanë dalë dhe pamjet e videove të ngjarjes. Aty dallohet sherri masiv i nisur në klubin e natës dhe pamjet e momentit, kur Arda Turan shkon i armatosur në spital.
Ka qenë ora 6:24 e mëngjesit, kur lojtari është shfaqur në spital për t’i kërkuar ndjesë këngëtarit. Palët bisedojnë me njëri-tjetrin, me këngëtarin e ulur në një karrige me rrota. Situata ishte e qetë, por pas 18 minutash atmosfera është ndezur.
“Bëj ç’të duash me këtë armë, nëse nuk më beson”, është shprehur lojtari, i cili ka nxjerrë armën dhe ai ka lënë në tavolinë. Berkai e ka marrë pistoletën, duke e hedhur në një karrige aty pranë. ““Nuk ka nevojë të vazhdojmë me poshtërim”, është shprehur këngëtari, duke pretenduar që Turan duhet t’i kishte kërkuar falje që në fillim.
Kjo solli acarimin e lojtarit, i cili mori armën dhe e shkrepi me tytën drejtuar nga dyshemeja. Plumbi bëri rikoshetë dhe goditi një printer, ndërsa askush nuk guxoi të futej mes palëve. Ky moment nuk është kapur nga kamera, pasi nuk ishte në rrezen e saj. Debati u nxeh sërish dhe pati përsëri ngritje zëri, me lojtarin që u largua nga spitali rreth orës shtatë të mëngjesit, nën shoqërinë e disa personave.
Këngëtari i tregoi policisë ngjarjen e ndodhur dhe tregoi dhe për plumbin e shkrepur, që goditi printerin. Arda Turan rrezikon shumë, pasi pamjet me armë dhe shkrepja e komprometojnë shumë situatën e tij, ku nuk përjashtohet dhe burgosja e tij.