VIDEO/ Rritet Kumbulla dhe zbret Gjimshiti! Mbrojtësit shqiptar të Serisë A, tjetër mbrëmje për t’u harruar nga lojtari i Kombëtares te Atalanta

Tifozët shqiptarë kanë shpresa të mëdha te lojtarët aktual të Kombëtares duke parë emrat e ekipeve në të cilat aktivizohen. Megjithatë, për fatin e keq, luhatja në performanca është ende e madhe për thuajse të gjithë këta elementë.

Në mbrojtje shiheshim më të kompletuar se kurrë me treshen Ismajli-Kumbulla-Gjimshiti. I pari nuk po preferohet shumë nga trajneri i Empolit, megjithëse në Kombëtare ka mbajtur nivel të lartë. Por dysha tjetër që bën pjesë në ekipe më të mëdha në Serinë A, nuk po koordinohen me performancat e tyre.

Nëse më parë ishte Kumbulla që po paraqitej në mënyrë skandaloze te Roma, tani po ndodh e kundërta. Marashi po fiton vëmendjen e të gjithë mediave italiane për mënyrën sesi është rritur dhe i fitoi besimin Murinjos, por është Gjimshiti që po pëson rënie.

Ndryshe nga sezonet e mëparshme ku ishte titullar i padiskutueshëm dhe shpeshherë përfundonte në formacionin e javës, këtë herë bëhet fjalë për shumë gabime. Në ndeshjen e sotme ndaj Leverkusen që Atalanta e fitoi me shifrat 3-2, Gjimshiti u hoq nga trajneri në minutën e 69. Për “Bergamonews” meriton notën më të ulët, 5: “Fajtor në golin e dytë që u shënua Diaby dhe që hapi ndeshjen.

Një mbrëmje ku nuk bindi”. Gjithashtu janë shtuar së tepërmi rastet kur Gjimshiti e nisi nga stoli ndeshjen, largohet nga fusha dhe në përgjithësi performancat e tij nuk po vlerësohen më si më parë. Sinjale alarmi dhe shqetësimi, në një kohë që te mbrojtja kishim sigurinë absolute. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *