Ndeshjet me Juventusin janë kthyer në një makth për skuadrën e Milanit. Në vitet e fundit dominimi i bardhezinjve ka qenë i frikshëm, ndoshta në mënyrë tepër ironike mund thuhet se transfertat në Torino janë kthyer në një ferr për “djallin”.
Milani është ndeshur shtatë herë me kampionët në fuqi në “Juventus Stadium” dhe në shtata rastet në përfundim të 90 minutave fitimtarë kanë dalë të zotët e shtëpisë.
Hera e fundit që “djalli” ka festuar në Torino ka qenë tetë vite më parë, në 5 marsin e 2011-ës. Përsëri këtu kemi një rastësi të frikshme. Ajo ndeshje mbaroi 0 – 1 për vizitorët nga Milano. Goli që vendosi fatin e takimit u shënua nga trajneri i sotëm i Milanit, Xhenaro Gatuzo, i cili atë ndeshje mbante shiritin e kapitenit. Festës së Gatuzos në ato momente i bashkohej dhe Masimiliano Alegri, i cili atë sezon udhëhoqi Milanin drejt titullit kampion.