Kristiano Ronaldo ishte një pjesë tepër e rëndësishme e Realit, por nuk ishte Reali, sepse klubi më i madh në botë mbetet i tillë edhe nëse largohet një fenomen.
Sot Reali nisi aventurën e këtij sezoni në Champions League dhe e bëri me një fitore mjaft bindëse kundër Romës, 2-0.
Italianët mendonin se do të përsëritnin ndonjë mrekulli si vitin e shkuar ndaj Barcelonës, por në Spanjë nuk është se kanë pasur ndonjëherë rezultate të mira dhe nëse përballë ishin emra si Modriç, Ramos, Isko, Bejl e të tjerë, trajneri Di Françesko i jepte debutimin të riut Zaniolo në mesfushë, i cili deri para pak muajsh luante me të rinjtë e Interit.
Dominimi i Realit ishte i frikshëm dhe goli ishte çështje kohe, derisa Isko shënoi një gol fantastik nga goditja e dënimit në fund të pjesës së parë.
I KNEW BAE WOULD SCORE TONIGHT ?? #ISCO #HalaMadrid pic.twitter.com/USa5w61Ndq
— Sua ??? (@sualehamustafa) September 19, 2018
Në pjesën e dytë Luka Modriç konfirmoi se është në formë perfekte dhe dha një asist për Bejl, i cili shënoi golin e sigurisë, ndërsa në fund, me një Romë të shpartalluar, Mariano shënoi golin e tretë dhe të festës së madhe personale.
Ndërkaq, në ndeshjen tjetër të grupit Plzeni shpërdoroi dy gola avantazh kundër CSKA-së, sepse në Republikën Çeke përfundoi 2-2, mes emocionesh. Kërmençik shënoi në minutat 29 e 41 për çekët, por CSKA shkurtoi me Çalov sapo nisi pjesa e dytë dhe presioni i madh në fund u shpërblye me një 11-metërsh që e shënoi kroati 20-vjeçar Vlashiç.