Ervis Koci ka marrë licencën për trajner, megjithatë ende nuk e ka zyrtarizuar largimin nga futbolli i luajtur. “Gardiani” kuksian është një prej portierëve që ka qëndruar më gjatë te Kukësi, duke qenë pjesë e skuadrës që nga koha kur verilindorët ishin në Kategorinë e Parë.
Koci ka qen pjesë e skuadrës së Kukësit për gjatë gjithë këtyre viteve në Superiore, por tani që është pajisur dhe me licencën për trajner duket se po i ngjit shkallët një e nga një. Në disa video që vetë Koci ka shpërndarë në profilin tij shihet që me shumë pasion jep kontributin e tij për të stërvitur ata që duan që në të ardhmen të japin kontributin e tyre për kuadratin e portës.
Koci shihet mjaft i përkushtuar dhe duket se e ka zgjedhur rrugën e tij pas futbollit të luajtur, por ky vendim nuk është marrë ende dhe do i takojë atij kur të varë këpucët në gozhdë. 33-vjeçari numëron më shumë se 100 ndeshje me fanellën e Kukësit.