VIDEO/ Penalltia e Muriqit nuk mjaftoi! “Pirati” nuk e rrëmbeu dot Kupën e Mbretit, Bilbao fiton trofeun dhe përlot stadiumin e stërmbushur

Kupa e Mbretit shkon në duart e lojtarëve të Atletik Bilbaos. “Pirati” nuk mundi ta rrëmbente dot trofeun e rëndësishëm, megjithëse i shkoi fare pranë. Majorka kaloi e para në epërsi falë golit të shënuar nga Rodrigezi në minutën e 21-të të takimit. Por shifrat u vendosën sërish në baraspeshë në minutën e 50, kur Sanceti e dërgoi topin në rrjetë. Koha e rregullt përfundoi në barazim, çka i dërgoi skuadrat drejt 30 minutave shtesë. Vedat Muriqi i shkoi pranë golit në minutën e 113, por portieri i Bilbaos reagoi në mënyrën e duhur, duke i hequr një gol thuajse të sigurt. Për të përcaktuar fituesin e trofeut u vevojit ekzekutimi i penalltive.

Muriqi hapi i pari serinë e 11 metërshave, por goli i tij nuk mjaftoi. Morlanesi dhe Radonjiçi gabuan përpara portierit të Bilbaos, ndërsa Sançezi e dërgoi topin në rrjetë. Por 2 penallti të shndërruara në gol ishin të pamjaftueshme për Majorkën, teksa në krahun tjetër bardhekuqtë nuk gabuan asnjë nga katër penalltitë e gjuajtura. Në fund festa ishte e gjitha për Bilbaon, që luanin në një stadium të stërmbushur me tifozët e tyre. Përmes objektivit të kamerave dalloheshin pastër emocionet e tifozerisë, teksa sytë e përlotur shiheshin ngado në stadium./Halit Delibashi-Sport Ekspres/