Ëndrra europiane e Partizanit përfundon këtu. Të kuqtë ishin vetëm një hap larg mbërritjes për të parën herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, por nuk mundën ta arrinin dot këtë sukses. Pas humbjes 1-0 në Kazakistan, kryeqytetasit treguan një tjetër nivel në “Elbasan Arena”.
Ekipi i drejtuar nga Zekiçi e nis vrullshëm pjesën e parë, kur bombardoi portën e Astanës, duke i dhënë makthe kampionëve të Kazakistanit. Kur kronometri po numëronte minutën e 24-t, Bintsuka e dërgoi topin në rrjetë me kokë dhe ngriti peshë stadiumin.
Partizani e mbylli pjesën e parë në epërsi dhe me një lojë thuajse në perfeksion, por 45 minutat e dyta nisën ndryshe për ta. Tomasov shënoi gol që në minutën e 46, çka e rëndoi psikologjikisht skuadrën e Zekiçit. Të kuqtë ngulmuan deri në sekondat e fundit të takimit për të dërguar sfidën në shtesa, por në fund takimi u mbyll me shifrat 1-1. Gjithsesi Partizani zhvilloi një paraqitje mjaft pozitive, duke bërë edhe kritikët kazakë të përtypnin fjalët nënvlerësuese të thëna në media./Halit Delibashi-Sport Ekspres/