Nëse Tirana nuk arriti të fitonte kundër Bylisit një pjesë e madhe e përgjegjësisë shkon te Taulant Seferi. Sulmuesi i Kombëtares nuk arriti që të shfrytëzonte mundësinë e artë të ndeshjes në pjesën e parë. Teksa u gjend i vetëm përpara portierit, Seferi gjendej mes dy zgjedhjeve: “Goli personal duke kaluar portierin ose goli i siguruar për Tiranën, duke shërbyer shokun e ekipit”. Afrimi i bujshëm i bardhebluve zgjodhi që të tentonte vetë rrjetën dhe historia është e ditur tashmë, topi nuk përfundoi në objektiv.
Këtu nuk kemi të bëjmë me asgjë të re pasi Seferi nuk ka “marrëdhënie” të mirë me portën, i mungon nuhatja e sulmuesit të vërtetë. Por në të gjithë këtë kohë nëse Seferi është vlerësuar te Tirana, kjo ka ardhur për lojën në grup dhe sakrifikimin që bënë duke vendosur të mirën e skuadrës përpara statistikave personale.
Kjo ndodhi në ndeshjen kundër Apolonisë teksa në atë fitore me shifrat 5-2, Seferi gjendej në rastin e ngjashëm si me Bylisin, por në atë takim do të zgjidhte pasimin. “Ndonjëherë edhe kapen me mua që përse nuk ke bërë gol, por unë e kam mendjen te loja e ekipit dhe fitorja. Me rëndësi është që të vazhdoj kështu për të ndihmuar klubin, kjo ka më shumë rëndësi”, do të shprehej asokohe pas ndeshjes Seferi.
Pra brenda një kohe fare të shkurtër dalin “dy fytyrat” e sulmuesit. Sigurisht që momente të tilla si ajo ndaj Apolonisë janë vërtet të çuditshme që të shihen, kur duhet të kujtojmë se bëhet fjalë për një sulmues që ndodhet vetëm një hap larg vijës së portës dhe zgjedh të pasojë.
Por ky rast i ndodhur me Bylisin na kujton që Taulant Seferi mbetet ende një sulmues që bëhet konfuz nga kritikat që merr dhe kur hedh vështrimin mbi numrin e golave të shënuara. Fundja marrëveshja e tij me Tiranën po mbaron dhe i duhet që të lërë më shumë gjurmë në këtë huazim, por në krahun tjetër bardheblutë janë duke luajtur për titullin. /Sport Ekspres/