Napoli do të ndeshet sot në mbrëmje me Cervena Zvezdën, sfida e parë në grup për italianët. Nuk do të jetë një ndeshje aspak e lehtë edhe pse përballë do të kenë një ekip nga Ballkani, i cili prej shumë vitesh nuk luan në Ligën e Kampionëve. Në Itali nuk janë të shqetësuar aq shumë për kundërshtarin që do të kenë në fushë, aq sa për atmosferën dhe stadiumin ku do të luhet ndeshja.
Sfida do të luhet në Marakana, një impiant që të fut frikën nëse futesh në të. një gazetar italian ka paraqitur me video momentin që kur futesh në stadium dhe deri në fushën e blertë, pikërisht atë rrugë që do të ndjekin lojtarët. Vërtetë e frikshme, pasi shihet një tunel i gjatë, që duket sikur nuk ka fund. Shkrime nga tifozët anës saj dhe zhurma shumë të forta nga tifozët që ndezin stadiumin në ndeshjet e mëdha.
Lojtarëve të Napolit mund t’u dridhen këmbët që në hyrje të stadiumit, kur të kalojnë në një tunel që duket se të tregon rrugën për në ferr. Masat për ndeshjen e sotme janë ekstreme dhe serbët nuk duan që të krijojnë asnjë incident. Kujtojmë që në fushë do të jetë dhe mbrojtësi kuqezi Elseid Hysaj.