VIDEO/ Ndeshje për njerëz me zemër të fortë! Dortmundi përmbysi 4-2 Atletikon, verdhezinjtë shkojnë në gjysmëfinale pas 11 vitesh

Megjithëse vëmendja ishte e kthyer në Barcelonë, atje ku katalanasit u përballën me PSG-në, spektakli i vërtetë zuri vend në “Signal Iduna Park”. Borusia Dortmund-Atletiko Madrid ishte një ndeshje për njerëz me zemër të fortë. Vendasit, të ndihmuar nga atmosfera fantastike e tifozëve të tyre, e nisën vrullshëm sfidën. Jualian Brandti në minutën e 34-t dhe Matseni vetëm 5 minuta më vonë ndëshkuan Atletikon e Madridit, duke e kthyer rezultatin në favorin e tyre.

Por spanjollët nuk u dorëzuan dhe shfaqën një fytyrë krejt tjetër në fillimin e pjesës së dytë. Ekipi i drejtuar nga Simeone ngushtoi shifrat falë një autogoli të shënuar nga Humelsi, ndërsa në të 64-tën Korrea barazoi shifrat. Rezultati i përgjithshëm i të dyja ndeshjeve dërgonte në gjysmëfinale Atletikon, por Dortmundi ende nuk e kishte thënë fjalën e fundit.

Fyllkrugu shënoi një gol majft të bukur me kokë në minutën e 71-të, ndërsa vetëm 3 minuta më vonë Zabitceri vulosi shifrat në 4-2. Borusia e Dortmundit fitoi me rezultatin e përgjithshëm 5-3 dhe siguroi një vend për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë pas 11 viteve./Halit Delibashi-Sport Ekspres/