VIDEO | Napoli “ngec thatë”, Veseli fiton derbin me Berishën e Gjimshitin

Tre ndeshjet e drekës të Serisë A kanë shpallur vetëm një fitues. Hap fals i Napolit, që nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen kundër Kievos. Ekipi i Ançelotit nuk pati shumë raste të pastra në këtë ndeshje. Kajehon në pjesën e parë dhe Mertens në fillimin e së dytës kishin raste të pastra për të shënuar, por nuk ia dolën dot.

Kievo qëndroi mbrapa me forca të shumta dhe arriti të siguronte një barazim të rëndësishëm. Veronezët e vegjël ngjiten në kuotën e 1 pike (e kanë nisur kampionatin me -3 pikë), ndërkohë që fitorja nuk ka mbërritur ende. Pika e ngjit Napolin në vendin e dytë me 29 pikë, ndërkohë që diferenca me Juventusin ka shkuar në 8 pikë.

Gola dhe shumë emocione në sfidën Empoli-Atalanta. Vendasit arritën të kthenin dizavantazhin e dyfishtë dhe Matias Silvestre shënoi golin e fitores në minutat shtesë të ndeshjes. Frederik Veseli ishte titullar për Empolin, ndërsa nga fillimi e nisën ndeshjen dhe Etrit Berisha dhe Berat Gjimishti për Atalatën.

Kaputo dështoi të barazonte ndeshjen nga pika e penalltisë në minutën e 39, duke goditur traversën. Freuler kishte kaluar miqtë në avantazh gjashtë minuta më parë, ndërsa të dy ekipet shënuan nga një gol në fundin e pjesës së parë. Empoli nuk u dorëzua dhe barazoi ndeshjen me autogolin e Masielos. Atalanta mbeti me dhjetë vetë në minutën e 84, pas daljes me të kuqe të Iliçiç, ndërsa argjentinasi Silvestre nuk e kishte thënë akoma fjalën e fundit. Mbrojtësi 34-vjeçar shënoi golin e fitores në minutën e tretë shtesë, duke i dhënë një trepikësh të rëndësishëm për mbijetesën Empolit të tij.

Bolonja-Fiorentina 0-0

Empoli-Atalanta 3-2
(La Gumina 42’, Masielo (aut) 77’, Silvestre 90+2’ / Freuler 33’, Hateber 40’)

Napoli-Kievo 0-0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *