Sevilja dhe Barcelona kanë zhvilluar një ndeshje spektakolare midis tyre, por në fund ka triumfuar ekipi katalanas. Leo Mesi tregoi dhe njëherë se pse është futbollisti më i mirë në botë. Kapiteni shënoi një trigolësh, duke i siguruar një fitore me vlera ekipit të tij.
Hezus Navas kaloi vendasit në avantazh në mesin e pjesës së parë pas një kundërsulmi fantastik të Seviljes. Avantazhi i ekipit andaluzian zgjati vetëm katër minuta. Mesi mori një pasim nga Rakitiç dhe shënoi një eurogol.
Sevilja u rikthye përsëri në avantazh tre minuta përpara fundit të pjesës së parë. Mbrojtësi Merkado mori një asist nga Sarabia dhe kaloi përsëri Seviljen në avantazh.
Pjesa e dytë foli për ekipin e Valverdes, që shënoi dhe tri herë të tjera duke rikthyer rezultatin. Mesi barazoi ndeshjen në minutën e 67-të me anë të një goditje të bukur nga brenda zonës.
Argjentinasi nuk u ndal dhe shënoi dhe golin e fitores pesë minuta përpara fundit të ndeshjes. Në fund pati kohë dhe për golin e Suarez, i cili vulosi fitoren e Barcelonës në minutën e tretë shtesë.
Kjo fitore e ngjit Barçën në kuotën e 57 pikëve, ndërsa Sevilja ka zbritur në vendin e pestë me 37 pikë, duke u renditur pas Getafes.
Sevilja-Barcelona 2-4
(Hezus Navas 22’, Merkado 42’ / Mesi 26’, 68’, 85’, Suarez 90+3′)