Skuadra e Laçit ka bërë mjaft mirë deri më tani dhe me të drejtë është pretendente për një vend në Kupa te Europës. Të besuarit e Besnik Prengës e nisën me një barazim me Kukësin gjysmën e dytë të kampionatit, por tekniku theksoi se pret edhe afrimet e fundit, për të pasur ekipin e kompletuar. Siç “SportEkspres.com” mëson, sulmuesi Maliki Mane do të udhëtojë ditën e sotme drejt Shqipërisë, ku do të bashkohet me skuadrën bardhezi.
30-vjeçari konsiderohet si një nga goditjet e Laçit, pasi ka një CV të pasur dhe është futbollist me shumë eksperiencë. Mane shkëputi me mirëkuptim kontratën në Kazakistan me skuadrën e Akhaik. Në edicionin e fundit, sulmuesi shënoi 9 gola në 27 prezenca që kishte, çka është një tregues i cilësive të tij.
Edhe pse vetëm sot Mane do të bashkohet me skuadrën, me shumë mundësi, ai do të jetë nën urdhrat e Prengës në takimin me Luftëtarin në shtëpi. Në varësi të ndeshjes, Mane mund të bëjë debutimin tij në Laç, megjithatë ky është një vendim që takon ekskluzivisht timonierit të bardhezinjve.