Istanbulspori është mposhtur në transfertën e sotme kundër Giresunsporit. Vendasit fituan takimin me shifrat 3-2. Golat e Istanbulsporit mbajnë autorësinë e dy lojtarëve shqiptarë, Valon Ethemit dhe Jetmir Topallit. Ishte fillimisht ish-lojtari i Kukësit ai që zhbllokoi shifrat e ndeshjes, duke mposhtur portierin kundërshtar në minutën e 18. Goli i katërt i tij në kampionat, të cilin zgjedh ta festojë duke ia marrë valles së bashku me Topallin.
Giresunspori barazon në minutën e dytë të shtesës së pjesës së parë me anë të Uludagut, ndërsa në pjesën e dytë shënon edhe dy herë të tjera. Në fillim me anë të Campuzano-s (48’) dhe më pas me anë të Mejia-s (57’). Jetmir Topalli ngushton rezultatin në minutën e 88 të takimit, por pa mundur të nxjerrë me pikë Istanbulsporin nga kjo transfertë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/