VIDEO/ Lojtarët e ekipit francez i hedhin flakadanët mbrapsht në tribuna, tifozët ironizojnë sheikët e klubit të tyre: Faleminderit për rënien nga kategoria

Estac Troyes po kalon një periudhë të vështirë. Në një kohë kur kanë mbetur edhe 2 javë nga fundi i kampionatit, klubi francez është pranë rënies në kategorinë e tretë. Tifozët kanë protestuar kundër klubit të tyre, duke ndërprerë ndeshjen e mbrëmshme kundër Valenciennes së vendit të fundit. Zona e 16-shes u mbush e gjitha me flakadanë, çka bëri që arbitri t’i dërgonte lojtarët përpara kohe në dhomat e zhveshjes.

Futbollistët e Troyes nuk e kanë pritur mirë sjelljen e tifozerisë së tyre, teksa kanë marrë flakadanët dhe ua kanë hedhur mbrapsht nëpër tribuna. Ndërkaq, ultrasit e klubit francez nuk i kanë kursyer ironitë as për drejtuesit e tyre, pasi kanë thirrur në kor: “Faleminderit City”! Theksojmë se klubi Troyes është në pronësi të City Football Group, i cili ka në pronësi edhe Manchester City-n. Por duket se paratë e sheikëve nuk kanë dhënë efekt në Francë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/