Leo Mesi është si vera. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më i mirë bëhet. Argjentinasi tundi rrjetën mbrëmë në barazimin e Barcelonës ndaj Vijarealit dhe e bëri diçka të tillë me një silurë nga një goditje dënimi. “Pleshti” është një ekspert i tyre.
Ai ka arritur të shënojë plot 24 gola të tillë që nga viti 2013, si askush tjetër. Në tre ndeshjet e fundit ka shënuar 3 gola me goditje dënimi, si dhe është golashënuesi (32 gola) dhe asistuesi (12) më i mirë i La Liga-s. Ylli katalanas nuk ka arritur të shënojë në vetëm 4 ndeshje që ka luajtur deri tani këtë sezon.
Por ajo çka bie në sy, është se goli i shënuar mbrëmë është identik me një të tillë të shënuar dy vite më parë ndaj të njëjtës skuadër, Vijarealit. Mesi shquhet për pragmatizmin që e karakterizon, duke gjetur zgjidhje të ndryshme për çdo situatë, gjithsesi në këtë rast ka qenë gjithçka një “fotokopje”.