Laçi ka bërë disa afrime deri më tani në merkato, ndërkohë që nën urdhrat e trajnerit Sulejman Starova janë vënë disa lojtarë të rinj gjatë kësaj periudhe. Njëri prej tyre është edhe mesfushori Aleksandros Zaimi. Futbollisti 21-vjeçar, i cili ka luajtur më parë në Greqi, ka bindur dhe pritet të jetë pjesë e kurbinasve në vazhdim.
Gjithsesi fillimisht duhet të tërheqë gjithë dokumentacionin. Në të shkuarën i Zaimi ka tentuar t’i bashkohet Skënderbeut, madje në vitin 2015 ka qenë në Austri në fazë përgatitore me korçarët. Asokohe ka qenë vetë 17 vjeç.
Te Laçi duan të jenë të kujdesshëm, pasi Zaimi është formuar si lojtar në vendin fqinj dhe nuk mund të paguajnë taksën e formimit. Veç mesfushorit, edhe një tjetër futbollist me të shkuar në Greqi është bashkuar me Laçin.
Bëhet fjalë për sulmuesin Renato Spahiu, i cili po stërvitet me kurbinasit prej gati tre muajsh. Më parë ai ka qenë pjesë e Kronos Argyradon dhe tani dëshiron të provojë Superioren. Ai bëri një paraqitje të mirë në ndeshjen e fundit me Kukësin dhe do të jetë një alternativë për stafin teknik në vazhdim.