VIDEO/ Ksavi i tregoi Enrikes se cili i përfaqëson më mirë vlerët e Barçës, katalanasit mundin PSG-në në “Parkun e Princave”

PSG-Barcelona shkoi përtej garës në fushën e blertë. Deklaratat përpara ndeshjes shkaktuan diskutime në opinionin sportiv. I pyetur se cili i përfaqëson më së miri vlerat e Barcelonës, Luis Enrikja u përgjigj pa mëdyshje: “Padyshim që unë. Flasin statistikat dhe trofetë”. Përgjigja e Ksavit erdhi sot, jo përpara mikrofonit, por në fushë, atje ku fitohen ndeshjet.

Barcelona mposhti PSG-në në “Parkun e Princave” me rezultatin 2-3. Rafinja zhbllokoi ndeshjen në minutën e 37, duke kurorëzuar me gol përpjekjet e shumta të katalanasve gjatë pjesës së parë. Por me fillimin e fraksionit të dytë të lojës lojtarët e PSG-së treguan një tjetër fytyrë. Debleja shkundi rrjetën në minutën e 48, ndërsa vetëm 2 minuta më Vonë Vitinja përmbysi shifrat.

Pavarësisht vrullit të parisienëve, Barcelona arriti të reagojë. Rafinja ktheu baraspeshën në minutën e 62-të, ndërsa në të 77-n ishte Kristenseni ai që i dha fitoren 2-3 ekipit blaugrana. Skuadrat do të përballen sërish me njëra-tjetrën më 16 prill, kur do të përcaktohet edhe gjysmëfinalisti i Ligës së Kampionëve./Halit Delibashi-Sport Ekspres/