Kolumbia ka marrë fitoren e dytë në grup, teksa këtë herë ishte radha e Katarit për të dalë me kokën ulur. Një gol i shënuar nga Duvan Zapata katar minuta para përfundimit të kohës së rregullt mjaftoi, ndërkohë që duhet thënë se Kolumbia e dominoi ndeshjen.
Katari qëndroi me forca të shumta në mbrojtje, por pavarësisht kësaj kolumbianët patën disa raste shënimi. Të ftuarit në Copa America mund të surprizonin në minutën e 90-të, pasi iu afruan golit të barazimit. Me fitoren e marrë, Kolumbia bën tutje.
Argjentina nuk po di të fitojë. Pas humbjes në ndeshjen e parë me Kolumbinë, këtë herë barazoi 1-1 me Paraguajin dhe renditet në vendin e fundit në grup. Lionel Mesi u mundua të bënte diçka, por kundërshtari ishte i vendosur mirë në fushë dhe me një kundërsulm arriti të kalonte i pari në avantazh me Sançez.
Në fundin e pjesës së parë portieri Armani mund të ndëshkohej me karton të kuq, por arbitri i ndeshjes e “fali”. Protesta të shumta nga lojtarët e Paraguajit. Mesi me shokë e nisën vrullshëm pjesën e dytë, teksa fituan një penallti. Gjithçka u vendos nga VAR dhe Mesi nuk fali.
Pak minuta më pas Otamendi gaboi me një ndërhyrje në zonë dhe shkaktoi penallti. Armani bëhet “hero”, duke ndalur Gonzales. Argjentina u mundua shumë të realizonte golin e fitores, por tensioni i pengoi ata të ishin të qetë para portës. Kështu, gjithçka u mbyll me rezultatin 1-1 dhe “Albicelestët” duhet të fitojnë me çdo kusht përballjen e radhës me Katarin.
COPA AMERICA – GRUPI B
Kolumbi-Katar 1-0
Shënues: Zapata 86’
Argjentinë-Paraguaj 1-1
Shënues: Mesi 57’ (pen.) / Sançez 37’
E diel, më 23 qershor, ora 21:00
Kolumbi-Paraguaj
Katar-Argjentinë