Mbrëmja e djeshme ishte e veçantë për Klaus Gjasulën, pasi përballë kishte ish-shokët e tij të skuadrës, të cilët i drejtoi në Bundesligë me shiritin e kapitenit në krahë sezonin që lamë pas. Një ndeshje që rezultoi një dramë e vërtetë, teksa pati dy përmbysje për të shkuar te fitorja e Hamburgut.
“Gladiatorin” shqiptar “e tradhëtuan” këmbët përballë ish-ekipit të tij, duke bërë që nga gafa e tij në fushë të vinte edhe barazimi për Paderbornin, të cilët më pas në pak minuta do të kthenin shifrat në favorin e tyre. Një dramë ku u prit gjatë për të parë zgjimin e Hamburgut, që në fund do e mbyllnin me 3 pikët transfertën.
Pas përfundimit të takimit, Gjasula ka folur për mediat, ku ka shprehur falenderimet për shokët e skuadrës, që arritën të korigjonin gabimet e tij. Gabime këto për të cilat mesfushori i Kombëtares shqiptare ndjen keqardhje që e ka kryer.
“Kur vërshëllima përfundimtare erdhi, ishte një peshë e madhe që u largua nga krahërori im. Do të doja të falenderoja skuadrën që korrigjoi gabimet e mia dhe ia dolëm të fitonim në fund. Nuk duhet t’i kisha bërë ato gabime, por ekipi më qendroi pas”, kanë qenë fjalët e Klaus Gjasulës pas ndeshjes me ish-ekipin e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/