Nuk ka pasur surpriza në “Olimpiko”. Mançester Junajtid ka siguruar biletën për në finale të Europa League. Pavarëisht fitores 3-2 mbrëmjen e sotme, ai turpërim 6-2 në “Old Traford” i kushton shumë ekipit të Romës. “Djajtë e kuq” janë të parët që kalojnë në avantazh falë Kavanit, por verdhekuqtë kanë ditur si të përgjigjen.
Në fakt pjesa e dytë ka nisur vrullshëm për italianët, që në harkun kohor të 3 minutave realizojnë dy gola. Madje pa kaluar shumë kohë, De Gea bën heroin në dy raste të tjera, për të mos lejuar surprizën e hidhur. Megjithatë ishte përsëri Kavani ai që vret vrullin romak, teksa në minutën e 68 tund rrjetën përsëri. Roma shënon sërish në minutën e 83-të, por fitorja nuk mund t’i sjellë kualifikimin.
Kështu, verdhekuqtë humbasin edhe trenin e fundit për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Në kampionat e kanë mbyllur garën për në këtë kompeticion, ndërsa trofeu i Europa League do të mund ti sillte biletën për në grupet e Champions-it sezonin e ardhshëm. Në këto kushte, Marash Kumbullës do i duhet të presë ende për të bërë debutimin e tij në kompeticionin më prestigjoz për klube./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
https://twitter.com/goalsworld2/status/1390391346255564801