Kevin Princ Boateng ka surprizuar sërish. Ganezi i njohur është një fanatik i jetës së bukur dhe qejfeve pafund. Asgjë e keqe, pasi të gjithë ëndërrojnë të kenë një stil të tillë jete, por 32-vjeçari do të kishte një karrierë tjetër.
Mjafton që të ishte më i përmbajtur dhe më i dedikuar ndaj stërvitjes dhe regjimit. Mesfushori afrikan u transferua në janar te Barcelona, por nuk arriti të lërë gjurmë në ekipin katalanas.
Kartonin e tij e zotëron Sasuolo dhe e ardhmja është në dyshim. Gjithsesi, Boateng i ka surprizuar të gjithë me projektin e fundit. Ai ka publikuar një këngë dhe videoklip, në bashkëpunim me Ty Elliot.
“Bella Vita” quhet hiti veror i lojtarit, i cili kulmin e tij e arriti kur ishte pjesë e Milanit. Kënga është publikuar në orët e para të ditës së sotme dhe Boateng shpreson të korrë sukses në karrierën e re që ka nisur.