Kur të vijnë të këqijat, hapu derën, thotë një shprehje. Në futboll ndodh shpesh që asgjë nuk të shkon mbarë, loja ecën keq, golat e fitoret nuk duken dhe kur pastaj del edhe një arbitër e bën lëmsh gjithçka, duket si një komplot nga qielli dhe nuk di ç’të bësh më.
Kjo po i ndodh Kaizerslautern-it, klub legjendar në Gjermani, por që është në krizë të paparë prej vitesh, aq sa tashmë ka zbritur në Ligën 3.
Edhe aty nuk është se po bën namin, sepse ka fituar vetëm ndeshjen e parë të sezonit në korrik dhe që atëherë 6 ndeshje mes kampionatit e kupës dhe asnjë festë.
Fundjavën e shkuar ndeshje në Zvikau, avantazh prej minutës së 60-të dhe fitorja shumë pranë, por në fund vendasit morën një penallti absurde, sepse arbitri nuk pa një faull neto ndaj një mbrojtësi të Lauternit dhe më pas pa prekje me dorë prej tij (shihni videon).
Pas ndeshjes Lauterni ishte tym, ndërsa në ekranin e Telekom Sport u shfaq mesfushori Jan Lëmansrëben, i cili ishte aq i zhgënjyer, saqë ishte një miks mes revoltës dhe dëshpërimit, duke nxjerrë me zor fjalët, ndërsa shfryu kundër arbitrit të ndeshjes, me fjalë që do t’i kushtojnë pezullim.
“Si nuk u pa ai faull, nuk e kuptoj, aty duket qartë dora që godet mbrojtësin tonë. Nuk di ç’të them. Nëse ai nuk e bën dot këtë punë, le të shkojë e të numërojë kokoshkat. Luajtëm një ndeshje të mirë, por nuk e di çfarë i tha mendja arbitrit. Uroj që të mos e zërë gjumi një javë dhe më pas të arbitrojë në kategoritë e fshatrave, në Kreisliga, ndoshta do të shohë më mirë”, ishte pak a shumë ajo që tha mesfushori, ndërsa në Kaizerslautern po shesin edhe bluza me kokoshka.