Emanuele Ndoj është heroi për Breshian. Mesfushori i kombëtares shqiptare ka arritur të shënojë golin e fitores 3-2 kundër Kremonezes. Gjithçka ndodhi në fund, kur mesfushori nga Mirdita në hyrje të zonës u tregua më i shpejtë se lojtarët kundërshtarë dhe goditi.
Topi i gjuajtur prej tij shkoi në rrjetë dhe te Breshia nisi festa, pasi ishte minuta e 90-të e takimit. Ekipi i Ndojit e nisi mirë, pasi kaloi në epërsi të dyfishtë, por më pas gjithçka u barazua dhe situata u komplikua. Ndoj nuk i shpëtoi as kartonit të verdhë sot, por me rëndësi që Breshia fitoi dhe renditet në vendin e dytë në klasifikim.
SHQIPTARËT NË BELGJIKË – Sindrit Guri nuk preferohet nga trajneri i Ostendes. Sulmuesi shkodran nuk ëshët aktivizuar në tre ndeshjet e fundit, dy në kampionat dhe një në kupë. Sot skuadra e tij barazoi në shtëpi me rezultatin 1-1 kundër Sint-Truiden dhe shkodrani e ndoqi takimin nga stoli.
Guri nuk është aktivizuar më parë në kampionat kundër Standard Liezh dhe në kupë kundër AS Eupen. Një periudhë jo e mirë për shkodranin, i cili këtë sezon ka arritur të shënojë vetëm një gol në kampionat kundër Anderlehtiti. Gjithashtu ai numëron edhe dy rrjeta të tundura në Kupë.
Shumë pak për një sulmues, për të cilin Ostende ka shpenzuar 710 mijë euro te skuadra e Kukësit. Ndërkohë, ndryshe nga Guri, rregullisht po aktivizohet mbrojtësi Mërgim Vojvoda me Mouskron. Sot skuadra e tij u mposht në transfertë nga Antverp me rezultatin 2-1. Ish-lojtari i Shqipërisë U21, i cili mbron ngjyrat e Kosovës tani, qëndroi në fushë deri në fund.