Izraeli ka lënë kujtime jo të mira për Kombëtaren kuqezi, por po shërben për të rikthyer një shqiptar në protagonist absolut. Valon Ahmedi ishte njeriu i ndeshjes në fitoren 3-0 që Ironi Kiriat Shmona regjistroi në fushën e Sakhnin. Një gol dhe dy asist për mesfushorin, në një mbrëmje magjike.
24-vjeçari nga Ohri realizoi golin e parë për skuadrën e tij në minutën e 30-të të ndeshjes, me një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë të shkëlqyer. Një perlë e vërtetë, duke mos i dhënë portierit kundërshtar mundësi të reagonte. Rrjeta e parë për të në aventurën izraelite.
Ahmedi u shfaq i papërmbajtshëm edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, duke dhënë dy asist. Fillimisht për Braun, që dyfishoi shifrat dhe në minutat e fundit të ndeshjes, për Abuhatzerian, që vulosi suksesin 3-0 të Ironi Kiriat Shmona.
Mesfushori po përjeton një formë fantastike me ekipin e tij të ri, pas largimit nga Maribori. Me këtë performancë, Valon Ahmedi rikthehet të jetë një alternativë e vlefshme për Kombëtaren shqiptare, aty ku mesfushori mungon prej një viti. Paraqitja e tij e fundit me fanellën kuqezi ishte ajo e 9 tetorit 2017 kundër Italisë në “Loro Boriçi”, ku u aktivizua në kohën shtesë, duke zëvendësuar Odise Roshin.