Majorka i jep fund vuajtjeve dhe endjeve në kategoritë inferiore, pasi sot ka siguruar rikthimin në elitë, pas gjashtë vitesh. Spanjollët kishin provuar edhe ligën e tretë, ndërkohë që humbja 2-0 në ndeshjen e parë me Deportivo La Korunja i zvogëlonte shanset për një rikthim në La Liga.
Gjithsesi Majorka ka bërë mrekullinë, duke triumfuar në ndeshjen e sotme me rezultatin 3-0. Duhej një gol i shpejtë dhe u bë realitet në minutën e 20-të. Budimir bëri gjithçka mirë në hyrje të zonës dhe më pas u tregua i saktë me goditjen e tij, duke çuar stadiumin peshë.
Një shkëndijë duhej, kurse zjarri do të ndizej në pjesën e dytë. Sevija ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi dhe ëndrra La Liga nisi të marrë jetë. Një gol i mrekullueshëm, që do të pasohej nga një tjetër perlë e realizuar nga Prats. Përmbysje e çmendur e skuadrës ishullore, që tani kthehet mes skuadrave më të mira në Spanjë. Mrekulli!