VIDEO/ Fenerbahçja rihap garën në vetëm 6 minuta, Olimpiakosit i duhet të djersijë edhe në Turqi

Olimpiakos-Fenerbahçe ka përfunduar me rezultatin 3-2. Klubi grek gjeti shumë shpejt rrugën e rrjetës. Furtunisi e dërgoi topin pas shpinës së kundërshtarit që në minutën e 8 të takimit, ndërsa në të 32-tën Jovetiçi dyfishoi rezultatin. Pjesa e dytë nisi në të njëjtën mënyrë për skuadrën nga Pireu. Makado i dërgoi shifrat në 3-0 në minutën e 57, duke bërë të mendohej se përballja do të përfundonte me goleadë për helenët.

Por Fenerbahçja rihapi sërish garën në vetëm 6 minuta. Dushan Tadiçi shndërroi në gol një penallti në minutën e 68, ndërsa në të 74-tën Kahvexhiu fiksoi shifrat përfundimtare në 3-2. Skuadra nga Stambolli mban kështu gjallë shpresat për një kualifikim. Olimpiakosi nuk ka siguruar ende asgjë, prandaj i duhet të djersijë shumë edhe në Turqi për të marrë në dorë biletën që i dërgon në gjysmëfinale të Ligës së Konferencës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/