Atalanta e Gasperinit vazhdon që të jetë bukuria e futbollit të Italisë. Këtë herë ekipi nga Bergamo ka siguruar zyrtarisht pjesëmarrjen për vitin e tretë radhazi në Champions League. Futbolli i praktikuar është ai i lojës së shpejtë sulmuese dhe mes kombinimeve të shumta të lojtarëve të Atalantës.
Rezultatet pozitive po vazhdojnë dhe kjo skuadër i ka rritur së tepërmi presionin edhe Juventusit, që këtë herë rrezikon të mbetet pa Champions League. Atalanta fitoi ndaj Genoa-s në shifrat 3-4, duke u shkëputur me 6 pikë distancë nga vendi i Juventusit që të nxjerrë jashtë kompeticionit më të rëndësishëm.
Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi për Juventusin, Atalanta i kalon bardhezinjtë edhe nëse përfundojnë me pikë të barabarta për shkakun e statistikave më të mira në përballjet direkte. Ky ishte kualifikimi i tretë radhazi për realitetin e ri që dëshironte Superliga ta vriste.
Pavarësisht se do të largohej një lojtar aq i rëndësishëm sa Papu Gomez, trajneri Gasperini ka prodhuar një tjetër lojtar klasi si Malinovski. Sa i përket lojtarit të Shqipërisë, Gjimshiti, do të gabonte në golin e parë të Genoas pasi nuk u kuptua me shokun e skuadrës. Megjithatë asgjë për t’u shqetësuar dhe shumë arsye për të festuar pas kësaj fitore të sotme. /Sport Ekspres/