VIDEO/ E pazakontë! Tifozi i Sivaspor hapi prapë telefonin para kohe dhe parashikoi golin e shqiptarit, Rei Manaj shënon “me dhunë” nga distanca

Rei Manaj është padyshim lojtari shqiptar më në formë i momentit. Sulmuesi i Kombëtares ka realizuar një tjetër gol, këtë herë në fitoren 1-0 të Sivaspor kundër Konyaspor. Në minutën e 88 të takimit, sulmuesi ka dhuruar një predhë nga distanca që përfundoi në rrjetë.

Fillimisht Manaj mori përsipër një goditje dënimi, teksa shumë herë ka realizuar prej andej. Për këtë arsye, një tifoz i Sivaspor ka marrë telefonin dhe ka hapur kamerën, duke thënë: “Tani do të bëj gol Rei Manaj”.

Në tentavivën e parë Manaj dështoi, por pasi topi iu kthye nga muri mbrojtës, Manaj tentoi sërish nga distanca duke gjetur cepin e rrjetës. Menjëherë shpërtheu festa në stadium, ndërsa i njëjti tifoz ka parashikuar para kohe tre gola të Manajt në këtë sezon deri tani. /Sport Ekspres/