Dortmundi vijon të jetë fantastik këtë sezon dhe duket se nuk ka ndërmend ta ndalë hapin. Triumfon ndaj Bajernit me përmbysje dhe i jep një goditje të fortë njëkohësisht kampionëve aktual. Protagonist absolut Marko Rojs me dy gola dhe më pas i zakonshmi Alkaser lë shenjën e tij. Tashmë Dortmundi e çon diferencën me Bajernin në 7 pikë.
Pjesa e parë u dominua thuajse e gjitha nga bavarezët, të cilët arritën dhe të shënonin në minutën e 26-të, me anë të ish-it, Robert Levandovski. Ishte Gnabri, i cili arriti të kalojë mjaft mirë nga e djathta dhe të japë një krosim perfekt për polakun, i cili shumë pranë portës nuk mund të gabonte. Skuadrat iu drejtuan dhomave të zhveshjes me rezultatin 0-1.
Fraksioni i dytë nisi me gol. Marko Rojs fiton një penallti dhe e transformon vetë në gol, duke baraspeshuar shifrat, pas vetëm katër minutave lojë nga pjesa e dytë. Gjithsesi, gëzimi në shkallët e “Signal Iduna Park” nuk zgjati shumë. Levandovski shënoi për herë të dytë, duke dërguar përsëri në avantazh ekipin e tij në minutën e 53-të.
Në minutën e 67-të, Dortmund u rifut përsëri në lojë për përmbysjen, teksa Rojs shënoi një supergol me një goditje fluturimthi. Më pas, shtatë minuta më vonë, ishte Pako Alkaser, i cili plotësoi përmbysjen e madhe. Verdhezinjtë rezistuan deri në fund, duke marrë kështu një sukses spektakolar. Te Bajerni tashmë gjërat duken akoma më keq dhe ndoshta Niko Kovaç mund të jetë në qendër të kritikave.