VIDEO/ Dashuria e parë nuk harrohet, dikur si “Atalanta e Superiores”, Vllazni, a të ka marrë malli?

Në momentin kur Alban Xhaferi erdhi në krye të ekipit te Vllaznia, menjëherë realizoi dëshirën e tij. Ekipi shkodran duhej të drejtohej nga një trajner gjerman! Brdaric do t’i jepej mundësia për të drejtuar Vllazninë. Për shkak të CV së tij si trajner, le të themi që Brdaric ishte jo pak i paragjykuar.

Kritikat ishin të mëdha që në humbjen e parë, duke nisur nga mediat. Por kalimi i kohës dhe largimi i tij tregoi se në fakt gjermani e ndezi Shkodrën si kurrë më parë. Një trajner karizmatik që rrëmbënte vëmendjen për shkak të shpërthimeve të tij në stol, i ziente gjaku si një ballkanas dhe të krijonte pak idenë e një koke të ftohtë gjermani.

Zakonisht tifozët e skuadrave kërkojnë trajner të tillë në pankinë, lidhen pak emocionalisht me ata që qëndrojnë statik. E menjëherë pas largimit të Brdaric, koha tregojë se gjermani kishte marrë maksimumin te Vllaznia.

Rezultatet më mbrapa nuk e tejkaluan shumë këtë trajner, loja, kurrsesi jo. Tani Vllaznia është kthyer e vakët, një ekip që nuk ndez dot tifozët shkodran, kurrsesi të tjerët. Të shohësh një ndeshje të Vllaznisë në këto momente nga minuta e parë te e fundit duket mision i pamundur, mërzia do të kaplojë për të ndërruar stacionin.

E në këtë moment do të duhet që të risjellim në vëmendje pasimet fantastike që dikur Vllaznia e Brdaric ka bërë kundër Partizanit, për të treguar ndryshimin e madh. Pavarësisht komoditetit që si askund tjetër në Shqipëri, Xhaferi ua ka dhënë trajnerëve të tij për t’i besuar gjatë dhe për të mos i shkarkuar si ndodh rëndomtë në vendin tonë, kjo nuk po jep rezultatet e pritura. Deri sa situata të ndryshojë, shkodranët mund të kenë pak nostalgji për të kaluarën jo të largët. /Sport Ekspres/

Video edited on Kapwing

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *