Brazili e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme edicionin e 46-të të Copa America, teksa ka mposhtur me shifrat 3-0 Bolivinë. Frymëzuesi kryesor i këtij triumfi ishte padyshim Filipe Kutinjo, i tjetërsuar në Kombëtare.
Pavarësisht se ylli kryesor Nejmar e humbi kompeticionin për shkak dëmtimi, Kutinjo mori në dorë ekipin, duke shënuar një dopietë. Fillimisht, braziliani shënoi nga pika e bardhë në minutën e 50-të.
Goli i shënuar i dha edhe më shumë shtysë Brazilit dhe vetëm tre minuta më vonë dyfishoi shifrat me të njëjtin autor. Kutinjo u gjend i vetëm në shtyllën e dytë dhe u tregua i saktë me kokë, duke çuar në festë të tijtë për herë të dytë.
Në fund pati kohë edhe për një perlë të Everton, anësori i Gremios, i cili kërkohet nga shumë ekipe elitare në Europë. 23-vjeçari lëshoi një predhë të vërtetë në minutën e 85-të, me portierin që mbeti i palëvizur.
Copa America 2019
Brazil – Bolivi 3-0
Shënues: Kutinjo 50′, 53′, Everton 85′