Surpriza më e madhe në Itali ka ardhur nga Fiorentina, për mënyrën sesi po dështon kjo skuadër. Në përbërje të saj gjenden lojtarë kualitativ dhe ku besohej në fillimin e sezonit se mund të luftohej për një vend në Europë. Riberi, Kalejon, Bonaventura, talenti Vlahoviç dhe lojtari që shkëlqeu në sezonin e fundit te Verona, Amrabat. Por pavarësisht të gjithë këtyre futbollistëve, misioni i Fiorentinës është ndryshuar për të mbijetuar në elitën e futbollit italian.
Kjo skuadër po endet në vendet e fundit të renditjes dhe në ditën e sotme ka marrë një tjetër shuplakë. Napoli ka fituar në shifrat 6-0 duke e poshtëruar skuadrën e Prandellit, që dukej si të vinte nga ligat amatore. Dopieta e Insigne e bashkuar me golat e Deme, Lozano, Zielinski dhe Politano kanë mjaftuar për të turpëruar Fiorentinën. Në këtë përballje luajti për 90 minuta edhe Elseid Hysaj, ndërsa Rrahmani u aktivizua në minutën e 80, atëherë kur gjithçka ishte mbyllur. /Sport Ekspres/