Mbrëmja Champions… me plot emocione. Për humbjen e Shkëndijës së Tetovës ndaj gjysmëfinalistëve të vjetshëm në Europa League folëm, por sigurisht u luajtën edhe dy ndeshje të tjera, që dhuruan surpriza pa fund, sidomos në krahun grek, ku PAOK-u dhe AEK-u kanë hedhur hapa të rëndësishëm për më tej, edhe pse janë ende ndeshjet e dyta.
Pikërisht në Selanik ishte një përballje e fortë mes PAOK-ut dhe Spartak Moskës. U duk se do të ishte një shëtitje për rusët e drejtuar nga ish-trajneri i Juventusit për pak kohë, Masimo Karrera, por kështu nuk ndodhi, pasi dy golat e shpejtë të Popovit dhe Promesit u përmbysën nga helenët që në pjesën e parë, të papërmbajtshëm mes minutës së 29 dhe 44, ku Prijoviç shkurtoi diferencën me penallti, teksa Limnios dhe Pekas përmbysën gjithçka për grekët.
Protagonist edhe portieri i PAOK-ut, Paskalakis priti penallti ndaj Promesit në të 71’. Ndeshja e kthimit, në Moskë, pas shtatë ditësh.
https://www.youtube.com/watch?v=3z3SY9_tzEA
Për t’u theksuar, pjesëmarrja e tifozëve në stadiumin “Toumba”, me thuajse 29 mijë të pranishëm, duke sfiduar edhe të nxehtin e madh dhe temperaturat që shkonin deri në 37 gradë celcius.
Sakaq, në Gllasgou, Selltiku barazoi në mënyrë të befasueshme ndaj AEK-ut të Athinës, që luajti thuajse gjithë pjesën e dytë me dhjetë futbollistë pas daljes me të kuq të Galanopulos.
Vendësit kaluan përpara me anë të MekGregorit, por Kolovetsios barazoi në të 44’. Pas shtatë ditësh, në Greqi, do të jetë një ferr për skocezët, që shiheshin si favoritë përpara fillimit të ndeshjes.
REZULTATET E TURIT TE TRETE CHAMPIONS/ NDESHJET E VAJTJES