Brazili nuk ka arritur të shkojë më shumë se një barazim 1-1 ndaj Panamasë në testin e parë miqësore të këtij muaji. Kombëtarja e Tites është ndalur pas gjashtë fitoreve radhazi në miqësoret e mparshme dhe ka pësuar golin e parë që nga Botërori i Rusisë.
Takimi nisi me një Brazil mjaft sulmues, që krijoi shumë raste. Në minutën e 32-të erdhi dhe goli i parë i takimit, ku autor ishte Lukas Paketa, i cili shënoi golin e parë me fanellën e kombëtares braziliane.
Gjithsesi, miqtë nga Panamaja shtangën pesë herë kampionët e Botës, vetëm pas katër minutash. Pas një goditje dënimi, ishte mbrojtësi dhe kapiteni Mashado, i cili shfrytëzoi mjaft mirë krosimin e dhënë për të vënë baraspeshën.
Në pjesën e dytë skuadra e Tites provoi deri në fund, por fati nuk ishte me ta, teksa goditën dhe traversën me anë të Riçarlison. Kështu, testi i parë i muajit mars mbyllet në barazim. Pas disa ditësh, Brazilin e pret Çekia.
Brazil 1-1 Panama
Shënues: Paketa 32′ / Mashado 36′