Hatem Ben Arfa është një ndër rastet perfekte kur një lojtar me cilësi prej fenomeni ka pasur një karrierë normale, modeste, për fatin e keq për të mendtë e kokës!
Mesfushori ofensiv ka shkëlqyer në karrierën e vet kur ka luajtur për Lionin, Marsejën, Njukasllin e Nicën, por ka pasur probleme kudo për shkak të sjelljes së tij, aq sa edhe Baloteli me shokë nuk i afrohen.
Kur në sezonin 2015/2016 mahniti te Nica, PSG fitoi garën për të firmosur me të, por më pas 2 sezone plot probleme bënë që Ben Arfa të mos luante thuajse fare.
Tani 32-vjeçari luan në Renë dhe aty po çmend tifozët me magjitë e tij. Të shtunën Ben Arfa shënoi golin e 40-të në karrierë në Ligën 1, në barazimin 3-3 në Anzher.
Në këta 40 gola, ky i fundit ishte thjesht i pabesueshëm, goli i karrierës, që nëse e shënonin Kristiano Ronaldo apo Leo Mesi do kishte bërë që të bllokohej interneti nga klikimet dhe komentet pa fund.