Arbër Hoxha ka dhuruar një paraqitje fantastike në kampionatin kroat, duke qenë protagonist kryesor në fitoren 3-0 të Dinamos së Zagrebit në transfertën ndaj Goricës. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës, duke treguar edhe një herë vlerat e tij me fanellën e gjigantëve kroatë.
Hoxha zhbllokoi takimin në minutën e 21-të, pas një shërbimi të bukur në zonë, duke mposhtur portierin kundërshtar dhe duke kaluar Dinamon në avantazh. Ndërkohë, në minutën e 83-të, futbollisti kuqezi goditi sërish. Këtë herë ishte Rodriguez ai që e shërbeu saktë, ndërsa shqiptari nuk gaboi përballë portës, duke realizuar golin e dytë personal. Fitoren 3-0 e vulosi Fran Topi? në minutën e 90-të.
Kjo dopietë merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se Hoxha i jep fund pritjes së gjatë për të shënuar në kampionat, pasi goli i fundit në ligë datonte që prej muajit gusht. Me këtë sukses, Dinamo e Zagrebit afrohet në vetëm një pikë nga Hajduku i Splitit kryesues, duke mbajtur të gjallë objektivin për titullin kampion. Një sinjal pozitiv edhe për Kombëtaren shqiptare, që sheh një prej sulmuesve të saj të rikthehet te golat. /Sport Ekspres/
?? A. Hoxha https://t.co/DFmNWkWrew
— Football Albanais (@FutbolliShqipFR) November 29, 2026