Çfarë shkëlqen, nuk mund të mos bjerë në sytë e Realit të Madridit, që gjithnjë është në ndjekje të talenteve më të mëdhenj të Europës, edhe pse tashmë kohërat po ndryshojnë dhe milionat nga Anglia, por edhe PSG, po ia vështirësojnë disi punën klubit madrilen.
Prej vitesh Reali po kërkon ndonjë sulmues niveli për të ardhmen dhe pasi shiti Alvaro Moratan te Çelsi, tashmë kërkon emra të rinj, duke parë që Ronaldo nuk është më një djalosh në fillimet e karrierës dhe Benzema nuk ka ndonjë vazhdimësi të madhe.
Sipas AS në Spanjë, synimi i ri i Realit është supertalenti gjerman Timo Verner. Vetëm 21 vjeç, Verner shënoi 21 gola në 31 ndeshje në Bundesligë sezonin e fundit, ndërsa tashmë ka shpërthyer edhe me kombëtaren gjermane, duke shënuar 3 gola në Kupën e Konfederatave e tre të tjerë në kualifikuese këtë muaj.
Edhe në kampionat Verner i ka shënuar që tani tre gola dhe e ka nisur sezonin me një mesatare të frikshme, duke u cilësuar sulmuesi i së ardhmes.
Ka vetëm një problem: Lajpcigu nuk e shet yllin e vet dhe e ka seriozisht, sepse nuk i mungojnë paratë.