Vendimtare me Partizanin, Luftëtari ka shansin të “heqë qafe” rivalin direkt

Një fitore e mundshme të mërkurën mbyll llogaritë e Europës. Përgatitësi atletik, Kostas Koltsidas, tregon sekretet e gjendjes fizike të ekipit

Gëzim Beqiri

Barazimi në Kamzë është më shumë se një pikë për Luftëtarin, që ka forcuar më shumë pozitat në vend të tretë, pas humbjes së Partizanit rival, me të cilin do të ndeshet ditën e mërkurë në Gjirokastër. Gjirokastritët kanë 5 pikë më shumë dhe kuptohet sa shumë vlerë ka fitorja. Nëse ndodh kështu, diferenca shkon në 8 pikë dhe kur mbeten vetëm 9 pikë në lojë, Luftëtari ”heq qafe” Partizanin dhe jo vetëm. Dy rivalët e tjerë, Flamurtari dhe Laçi, ndeshen mes tyre dhe vetëm njëri do të fitojë. Pa hyrë në analiza të thella, duhet pranuar se ndeshja me Kamzën kishte shumë përgjegjësi dhe loja e Luftëtarit nuk mund të konsiderohet nga më të mirat, pavarësisht se u arrit qëllimi. Trajneri Hasan Lika  nuk i ka lënë asnjë ditë pushim futbollistët, pasi dje nisën përgatitjet e takimit ndaj Partizanit. Kthehen Kristal Abazaj dhe Xhekson Ferreira, të cilët munguan ndaj Kamzës për arsye kartonësh dhe dëmtimi, por do të mungojnë Liçaj dhe Aleksi, të dy të skualifikuar.

KOLTSIDAS – Përgatitësi atletik i Luftëtarit, Kostas Koltsidas, ndihmësi më i afërt i trajnerit Hasan Lika, i është bashkuar Luftëtarit në fazën përgatitore të verës së kaluar. Ai ka dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjet e ekipit në aspektin fizik, duke dhënë eksperiencën e tij shumëvjeçare. Ish-sulmuesi, që vitet e fundit ka qenë pjesë e stafit teknik të Atromitosit dhe AEK-ut, për situatën e tanishme të Luftëtarit, është shprehur: ”Kur u bëra pjesë e Luftëtarit, gjeta një ekip të përgatitur mirë. Nuk mund të them se e fillova nga e para. Gjithsesi, nisur nga eksperienca ime në ekipet e Greqisë, jam munduar të implementoj mentalitet tjetër për t’u stërvitur në nivele më të larta. Kjo duket nga përgatitja fizike, që ka ndikuar në rezultatet e ekipit.

Jo pak peshë dhe rëndësi kanë kushtet e stërvitjes. Në Gjirokastër ato ekzistojnë. Futbolli modern sot kërkon forcë dhe shpejtësi, dy komponentë bazë për çdo lojtar. Forca fizike dhe shpejtësia janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra–tjetrën, në shërbim të progresit individual. Mënyra e të stërviturit në terren sintetik është një arsye për dëmtim, prandaj duhet bërë kujdes, sepse ndryshe nga terreni me bar natyral, mungon amortizimi i gjymtyrëve në kontakt me fushën. Po kështu, edhe nëse stërvitesh në fushë natyrale, ngarkesa nuk është e njëjtë, por edhe koha e stërvitjes. Për këtë qëllim e drejtoj vet përgatitjen paraprake, ndryshe nxehjen përpara fillimit të stërvitjes dhe ndeshjes. Duke qenë afër fundit të kampionatit dhe lojtarët janë shumë të ngarkuar fizikisht, na është dashur që stërvitjen ta zhvillojmë në të shumtën e ditëve në fushën e stadiumit, për të mos pasur dëmtime”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online