Komisioni i Disiplinës ka bërë publike vetëm para pak minutash vendimet e marra për ndeshjet e zhvilluara së fundmi në futbollin shqiptar. Për ta nisur me elitën e Superiores, atje ku Vllaznia është gjobitur për sjelljen e tifozëve.
Nga ana tjetër, me vëmendje pritej të shihej edhe vendimi sa i përket thirrjes së presidentit Kapllanaj drejtuar lojtarëve të Bylisit, për të ndërprerë një minutë ndeshjen kundër Skënderbeut. Por këtë herë Bylisi ia ka hedhur paq, duke e kaluar vetëm me një paralajmërim. Gjithashtu një vendim tjetër me rëndësi vjen me Kamzën, që për braktisje të ndeshjes dhe një fenomen i përsëritur ky për ta, do të përjashtohet nga sezoni 2019-2020 dhe e nis në Kategorinë e Tretë. /Sport Ekspres/
Vendimet e Komisionit të Disiplinës
1. KF Vllaznia për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 65/1/ të KDS dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) Lekë.
2. KF Tirana në bazë të Nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatorëve, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës.
3. KF Bylis në bazë të Nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të drejtuesve dhe futbollistëve duke tentuar të braktisin ndeshjen, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Rregulloret e FSHF.
4. Zyrtari i KF Erzeni Shkëlqim Troplini për sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes në bazë të Nenit 48/2/a të KDS dënohet m 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
5. KF Apolonia për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 65/1/ te KDS dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) Lekë. Në zbatim të Nenit 116/1/a) të KDS, gjoba të aplikohet në masën 50%.
6. KF Kamza për mosparaqitje në ndeshjen ndaj KF Klosi veprim i përsëritur, në bazë të Nenit 89/2/e, 89/3 dhe 89/4 të Rregullores së Veprimtarise Futbollistike të Kategorisë së Dyte dhe Nenit 27/1 të KDS përjashtohet nga aktiviteti futbollistik për sezonin 2019-2020 dhe zbritjen në një kategori më poshtë.
7. Lojtari i KF Butrinti Fabio Dhrami për sjellje të keqe ndaj kundërshtarit në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
8. Lojtari i KF Butrinti Rinild Maraj për sjellje të keqe ndaj kundërshtarit në bazë të Nenit 47/1/e dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
9. KF Selenica per dështim në përmbushjen e përgjegjësive në bazë të Nenit 64/1 të KDS dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) Lekë. Në zbatim të Nenit 116/1/a) të KDS, gjoba të aplikohet në masën 20%.