Mbrojtësi ka lënë pas dëmtimin dhe flet për ecurinë e ekipit, objektivat dhe situatën e tij. “Afrimet? Gjithmonë vlejnë dhe janë të nevojshme për një skuadër”
Elton Nika
Flamurtari realizoi katër afrime gjatë merkatos së dimrit, të cilësuara si mjaft cilësore dhe që pritet t’i japin më shumë cilësi skuadrës vlonjate. Gjithsesi është evidentë që në pjesën e parë të sezonit kuqezinjtë kanë bërë mjaft mirë, duke u renditur në vend të dytë. Por afrimet nuk janë vetëm katër, pasi vlonjatët një të tillë cilësor e kanë edhe në gjirin e tyre. Bëhet fjalë për vlonjatin Franc Veliu. Futbollisti vlonjat mungoi gjatë për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë fazës përgatitore në verë, ndërsa tani ai është rikthyer të jetë në stërvitje me grupin dhe pritet të jetë një vlerë e shtuar e këtij Flamurtari. Veliu, nga faza përgatitore në Antalia ku ndodhet së bashku me skuadrën, konfirmon se kjo është një periudhë mjaft e rëndësishme dhe pret që të japë mbi të gjitha kontributin e tij në skuadër për pjesën e dytë të sezonit. “Pas një periudhe mjaft të vështirë sa i përket anës personale, tashmë jam rikthyer në stërvitje me grupin dhe mund të them se ndihem mjaft mirë. Të shpresojmë se gjithçka kam kaluar është lënë pas”, shprehet nga Turqia Veliu.
“Një periudhë që në fakt nuk dua shumë ta kujtoj, tani dua të shikoj vetëm përpara. Stërvitjen e kam nisur që në Vlorë kur rinisëm përgatitjet më 3 janar dhe tashmë jam së bashku me pjesën tjetër në këtë fazë përgatitore, që është mjaft e rëndësishme për skuadrën, por padyshim edhe për mua, duke ditur që nuk kam luajtur për shkak dëmtimit të kaluar. Edhe në dy miqësoret, si në atë në Vlorë, por edhe këtu në Turqi, u aktivizova në pjesën e dytë dhe deri më tani gjërat kanë shkuar shumë mirë. Të shpresojmë se nuk do të kem sërish dëmtime, por aktualisht stërvitja po shkon mjaft mirë. Ngarkesat janë të mëdha, por të nevojshme, pasi dihet që na pret një pjesë e dytë e sezonit mjaft e vështirë, duke marrë në konsideratë edhe skuadrat e tjera, që janë përforcuar ndjeshëm. Çdo skuadër, pavarësisht asaj që ka bërë në pjesën e parë të sezonit, tashmë do të kërkojë të arrijë objektivat e veta dhe kjo rrit shkallën e vështirësisë. Megjithatë shikoj një Flamurtar që do të dijë, ashtu si edhe deri më tani, ta thotë mjaft mirë fjalën e vet në kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë”, deklaron mbrojtësi vlonjat.
AFRIMET Në lupën e Veliu ka kaluar edhe merkatoja e bërë: “Afrimet gjithmonë vlejnë dhe janë të nevojshme për një skuadër. Pastaj mendoj se janë afrime mjaft të mira dhe lojtarë që do të rrisin cilësinë e skuadrës. Janë lojtarë që kanë luajtur në skuadra me objektiva të rëndësishëm dhe padyshim një vlerë më shumë për Flamurtarin”.
OBJEKTIVAT “Nga ana personale mbetet që të rikthehem sa më shpejt në gjendjen më të mirë dhe mund të them se më mungon shumë fusha e blertë. Tani rëndësi ka skuadra, jo vetëm një lojtar, prandaj do të jap gjithmonë maksimumin sa herë të më kërkohet të zbres në fushën e Lojës”, thotë fillimisht Veliu kur e pyet për objektivat. Skuadra vjen e para dhe për mbrojtësin Flamurtari mund të shkojë shumë larg.
“Sa i përket skuadrës, duhet të vijojmë të shikojmë ndeshje pas ndeshje. Nuk kemi vendosur objektiva, por llogaritë bëhen në fund të kampionatit, ndaj na del si detyrë të vijojmë të punojmë fort në stërvitje gjatë kësaj periudhe. Kur t’i vijë koha do t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Ky Flamurtar ka mundësinë të shkojë shumë larg”, përfundon mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veliu.