Veliaj e paralajmëroi, si po përdoret prokuroria për “t’ia nxirë jetën” FSHF-së

Nga Lapsi. Al

Në përgjimin që iu bë Erion Veliajt gjatë mbledhjes së Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës disa javë më parë, ai dëgjohej teksa përbetohej se “do t’ia nxinte jetën” Armand Dukës me SPAK dhe prokurori.

“Jo UEFA e FIFA të zbresë, por edhe sikur Zoti dhe Muhamedi të zbresin, nuk e ndalin dot luftën time. Unë do të bëj çdo gjë për t’ia nxirë jetën këtyre me prokurori e SPAK. Tani edhe në rast se duam të tërhiqemi nuk tërhiqemi dot, sepse nuk tërhiqen agjensitë që janë vënë në lëvizje, prokuroria është vënë në lëvizje”, – thoshte mes të tjerash kryebashkiaku i Tiranës.

Deklarata u interpretua si konfirmim i radhës, se SPAK dhe prokuroria janë thjesht dy vegla që mazhoranca i përdor sipas rrethanave. Pas deklaratëve të Veliajt se do t’ia nxinte jetën zyrtarëve të FSHF-së me prokurorinë, drejtuesja e organit të akuzës për Tiranën tha se prokuroria që drejton “nuk ka asnjë të ngarkesë të jashtme në lidhje me asnjë çështje”.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen hetime sipas normave ligjore dhe në pavarësi të plotë në lidhje me çështjen, si për çdo çështje tjetër” u shpreh ajo.

Ndonëse u distancua nga përfshirja, nuk kaloi as një ditë dhe prokuroria e Tiranës ndërmori aktin e sekuestrimit të materialeve të zgjedhjeve të FSHF të zhvilluara për kryeqytetin. Në faksimilen poshtë duket dokumenti ashtu sikurse pati paralajmëruar kryebashkiaku.

Për paralajmërimin e Veliajt u pyet edhe Rama, i cili para gazetarëve bëri rolin e të paditurit për kërcënimet e Veliajt në prokurori.

Mora Veliajn ta pyes çfarë është kjo dhe më sqaroi për pozicionin e tij. Dhe i thashë “po SPAK për çfarë e përmend?” se SPAK-u nuk merret me një OJF, FSHF-ja është OJF dhe SPAK nuk merret fare. Unë e di që përgjimet transformohen se e kam provuar në kurrizin tim. Çfarë i thoja unë atij dhe çfarë diskutohej në televizione” – tha Rama.

Por kërcënimet e Veliajt, janë moto e punës së prokurorëve që hetojnë Federatën Shqiptare të Futbollit. Pas padisë për shpërdorim detyre dhe falsifikim nga dy drejtuesit më të lartë të FSHF, prokurorët nuk i janë ndarë Federatës Shqiptare të Futbollit. Një burim nga FSHF tha për Lapsi.al se oficerët e Policisë Gjyqësore prej dy javësh tashmë paraqiten rregullisht në zyrat e FSHF dhe kërkojnë shkresa të ndryshme. Edhe sot, ashtu si në ditët e tjera, oficerët e policisë gjyqësore kanë kërkuar fashikuj me dokumentacionin përkatës për hetimet që po kryhen.

Veç prokurorisë, Veliajt i është bindur me të njëjtën përulësi edhe gjykata. Pak ditë më parë, një vendim i Gjykatës së Tiranës i dha të drejtë kandidatit që mbështet Veliaj për krijimin e një shoqate tjetër të futbollit.

Vendimi erdhi pasi Veliaj bëri një mbledhje paralele të shoqatës rajonale të futbollit duke zgjedhur kryetar të besuarin e tij, Eduard Prodani. Veliaj pretendon se gjykata nuk e njeh Krenar Alimehmetin, i cili u zgjodh kryetar në një mbledhje tjetër të shoqatës, të mbledhur nën monitorimin e Armando Dukës. Pas kësaj, kemi dy shoqata, një të Dukës që njihet nga UEFA dhe një të Veliajt, të cilin e njeh gjykata e Tiranës.

Ky nuk është rasti i parë që “drejtësia e re” i shërben Veliajt kundër palëve të tjera në konflikt. Pas sherrit që ai pati me pronarin e Oraneës, Ylli Ndroqin, menjëherë SPAK u vu në lëvizje duke rinisur hetimet për trafik droge dhe duke sekuestruar televizionet në pronësi të Ndroqit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *