Mesfushori shkodran Uendi kalon te gjigantët kroatë. Firmos një kontratë 3-vjeçare me ta dhe tani ka ëndrrën e tij përpara. Kuqeblutë humbasin një talent
Momentet para fillimit të stërvitjes së djeshme kanë qenë prekëse dhe emocionuese për mesfushorin e Vllaznisë, Uendi Vecaj. 20- vjeçari i talentuar është parë të takohet me të gjithë pjesëtarët e skuadrës dhe po kështu edhe me stafin teknik, pasi pak minuta para se të mbërrinte në stërvitje ai kishte firmosur kontratën me klubin kroat të Dinamos së Zagrebit. Ndarja me shokët e skuadrës dhe pjesëtarët e stafit teknik nuk ka qenë shumë e lehtë, sepse deri dje është stërvitur rregullisht me kuqeblutë. Për këtë mesfushor krahu, vëmendja e trajnerit Armando Cungu nuk ka qenë e paktë, madje në disa ndeshje është aktivizuar edhe titullar. Dhe ndërkohë që Vecaj mund të fitonte më shumë besim nga stafi teknik, vjen edhe lamtumira e tij ndaj skuadrës kuqeblu.
Një lamtumirë, që në fakt i ka bazat jo shumë larg, por thuajse vetëm një muaj më parë, kur 20-vjeçari Uendi Vecaj u stërvit për rreth tri javë me Dinamon e Zagrebit. Një provë, që siç u tha nga specialistët e futbollit kroat, por edhe menaxherët që e kanë shoqëruar në tratativat e kësaj transferte, shkoi në mënyrën më të mirë. Sinjalet ishin pozitive dhe në vazhdim pritej që të kishte edhe lëvizje në këtë drejtim. Por që të ndodhte kaq shpejt, askush nuk e kishte besuar, ndaj ishte kjo arsyeja që edhe dje kolegët e tij kuqeblu janë gjendur pak të papërgatitur ndaj këtij fakti. Firmën me Dinamon e Zagrebit për një afat trevjeçar Vecaj e ka pranuar edhe për “Sport Ekspres”, por duke qenë në momente prekëse, që vinin pas ndarjes me skuadrën, ka kërkuar mirëkuptimin që një prononcim më konkret rreth kësaj lëvizjeje ta përcjellë ditët në vazhdim.
Uendi Vecaj është lojtari i dytë nga Vllaznia që kalon në një skuadër të huaj brenda një kohe të shkurtër. Pas Rubin Hebajt, i cili firmosi me Domzhalen në Slloveni pak kohë më parë, vjen dhe kalimi i Vecajt në Kroaci, madje me ekipin më të madh në këtë kampionat. Skuadra e trajnerit Armando Cungu humbet një tjetër talent, ndërkohë që duhet evidentuar fakti se edhe këtë radhë klubi nuk ka përfituar financiarisht, edhe pse kjo gjë nuk konfirmohet zyrtarisht.