Ernesto Valverde ka hyrë në sezonin e dytë te Barcelona, ndërkohë që verën e shkuar pat nënshkruar një kontratë 2+1 me katalanasit. Ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, ndërkohë që rreth 10 ditë më parë sqaroi se është herët për të folur për këtë çështje.
“Nuk kam folur me asnjë në klub. Trajnerët shkojnë nga dita në ditë, nga java në javë. Më duket e parakohshme për të folur për këtë çështje në këtë moment”, deklaronte ish-trajneri i Bilbaos, i cili do të ndjekë të njëjtën strategji si Guardiola raporton gazeta “Sport” në Spanjë.
Valverde mendon se është herët për të biseduar për të ardhmen. Guardiola në të shkuarën rinovonte vit pas vit, ndërkohë që edhe trajneri aktual kërkon që lojtarët të mos shpërqendrohen me lajme që lidhen me të ardhmen e tij.
Gjithsesi në muajin shkurt ai do të ndajë mendjen se çfarë do të bëjë, në mënyrë që edhe klubi të ketë kohën e mjaftueshme për të menduar për sezonin e ardhshëm, qoftë me Valverden në stol, qoftë pa të.
Trajneri spanjoll ka mbështetjen e klubit dhe klauzola “+1” në kontratë nuk është se lidhet me objektivat, por nga dëshira e përbashkët e palëve për të vijuar bashkëpunumin. Edhe në klub ende nuk e kanë ngacmuar Valverden në lidhje me të ardhmen.