Myrto Uzuni po përjeton momentin më të mirë të karrierës. 23-vjeçari i kombëtares kuqezi ka shënuar sot në përballjen kundër Sllaven Belupos.
Uzuni ndihmoi Lokomotivën e Zagrebit të shmangte humbjen, duke shënuar në minutën e 80 të ndeshjes. Miqtë ishin në avantazh të një goli, kur ai goditi bukur me kokë, duke barazuar ndeshjen.
Goli i katërt në kampionatin kroat për lojtarin ofensiv, i cili ka shënuar dhe një gol në kupë, ndërsa është zgjedhur 5 herë pjesë e formacionit më të mirë të javës. Kjo pikë e ngjit Lokomotivën në kuotën e 30 pikëve, duke vazhduar të mbajë vendin e dytë me 6 pikë më pak se Dinamo e Zagrebit e vendit të parë.
Një pjesë loje dhe për Lirim Kastratin, i cili u fut në fushë në fillimin e pjesës së dytë. Sulmuesi i Kosovës vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë i Lokomotivës me 7 gola, ndërsa katër minuta përpara fundit u ndëshkua me karton të verdhë.