Ushtri portugeze në Premier Ligë, Mendesh blen edhe yllin e Monakos

Nëse nuk e dini, Ulvërhemptoni i sapongjitur në Premier Ligën angleze është pronë e kompanisë kineze Fosun International, që nga ana e vet ka lidhje të fuqishme me agjentin e famshëm të futbollistëve Zhorzh Mendesh, për të cilin thuhet se është realisht pronari i klubit, por rregulloret nuk e lejojnë të dalë në skenë.

Gjithsesi, ata që akuzojnë Mendesh se është pronari i Ulvërhemptonit nuk e kanë fort gabim, duke parë që skuadra e “Ujqërve” është kthyer në një ekip portugez, nga portieri Rui Patricio e deri te trajneri Nuno Espirito Santo, janë plot 8 anëtarë portugezë të klubit, por së shpejti do të jenë edhe më shumë.

Sot Ulvs ka arritur marrëveshjen me Monakon për blerjen e mesfushorit Zhoao Mutinjo për 5 milionë sterlina, duke i ofruar mesfushorit të njohur kontratë 2-vjeçare.

31-vjeçari pritet të formojë dyshen e qendrës së mesfushës, së bashku me Ruben Nevesh. Mutinjo u shpall kampion Europe me Portugalinë në Euro 2016 dhe ka luajtur 113 ndeshje me kombëtaren, duke qenë futbollisti i tretë me më shumë ndeshje në historinë e luzitanëve, pas Kristiano Ronaldos (154) dhe Luis Figos (127).

Deri në fund të verës priten portugezë të tjerë dhe flitet për bisedime mes Ulvërhemptonit e Milanit për Andre Silvën, që natyrisht është i përfaqësuar nga Zhorzh Mendesh.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *